Femija im me ndricon jeten



Bebushi 4-5 muaj

Përkujdesia dhe zhvillimi i bebit
Në rast se fillohen lëngjet e frutave ose puret e frutave normalisht jashtëqitjet dhe urinimet do të ndryshojnë konsistencën, numrin dhe ngjyrën. Prej këtij fakti mund të skuqet bebi.
Përkujdesia për skuqjen duhet të jetë shumë e madhe, duhen përdorur kremra me vitamina A dhe E dhe çdo herë që ndërrohen pelenat duhet larë bebi.
Në rast se fillon puret e frutave mos u tremb nëse ai nxjerr edhe copa të vogla frutash të patretura, është normale sidomos duke patur parasysh faktin se aparati tretës nuk është komplet i zhvilluar.


Banja ditore
Është e detyrueshme larja e bebit ditë për ditë. Në rast se nuk i lani kokën për ditë nuk ka problem, koka mund të lahet 2-3 herë në javë ndërsa organet gjenitale, duart, këmbët, qafa dhe fytyra duhen larë me kujdes çdo ditë.
Zhvillimi motorrik
Deri nga fundi i muajit të pestë pjesa më e madhe e bebave arrijnë të kthehen nga pozicioni shtrirë barkas. Rreth 25% e tyre nuk arrijnë akoma por ky nuk është ndonjë problem, siç e thamë herë tjetër, zhvillimi varet nga çdo bebe.
Prapë në këtë periudhë bebi fillon të fusi këmbët në gojë. Në momentin që është i shtrirë ai prek të gjithë trupin e vetë me duart e veta. Ndonjëherë mbështetet tek koka dhe tek këmbët dhe ngre kurrizin sikur bën urrën ose ngre kokën dhe shtrin të gjithë trupin sikur do të çohet.
Në rast se qëndron barkas atëherë ngre lehtësisht kokën duke u mbështetur tek duart. Mund të mbajë kokën e ngritur deri 90 gradë. Mund të mbahet vetëm me një krahë duke përdorur krahun tjetër për të kapur ndonjë objekt që i intereson.
Nëse provon ta ngresh duke i dhënë duart, ai të kap fort gishtat dhe çohet nga i shtrirë në ulur pa asnjë problem kontrolli të kokës. Në rast se bebi nuk kap duart e mamit, nuk ka fuqinë te mbahet nga gishtat e saj ose/dhe nuk provon të ngrejë kokën dhe trupin atëherë duhet të kontaktoni mjekun pediatër.
Në rast se e vendos ulur, bebi mban mirë kokën e vetë por akoma nuk është në gjendje të mbajë drejt trupin e vetë dhe bie përpara ose anash.
Në rast se e mbani nga sqetullat për të qëndruar në këmbë ai shtyn këmbët poshtë dhe mban peshën e trupit vetë por akoma nuk është në gjendje të mbështetet vete tek këmbët.
Në rast se qëndron në një pozicion të mirë ai mund të kapi çfarëdo lloj objekt i është dhënë me gjithë dorën dhe jo vetëm me disa gishta. Shtrinë dorën vetë për të kapur ndonjë lodër dhe në rast se e kap nuk lejon mamin që t’ia marri.
Ai çon tek goja cdo lodër ose objekt që i jepet, është mënyra e vetë për të njohur botën. Këshillohet ti jepen lodra kauçuku të cilat mos e vrasin ose mos gëlltiten. Lodrat e bebit duhen larë çdo herë që bien për tokë në mënyrë për të evituar që mikrobet të kalojnë në trupin e bebit.
Dëgjimi
Bebi dëgjon shumë mirë zhurmat dhe kthen kokën në drejtimin e zhurmave. Është shumë e rëndësishme që në momentin që testohet dëgjimi i bebit ai të jetë i qetë dhe në dhomë të jetë qetësi. Ai mund të dalloj zhurma të ndryshme dhe mund të gëzohet për disa nga ato si për shembull: gëzohet kur dëgjon ujin duke rrjedhur sepse tashmë e di se kjo zhurma domethënë banjo. Zhurma të forta ose zhurma me të cilat nuk është mësuar e bezdisin.
Ai përsërit tinguj që i prodhon vetë dhe e bën me shumë kënaqësi. Bërtet fort kur ka nevoja të caktuara ose kur do vëmendje.
Shikimi
Bebushi koordinon shumë mirë lëvizjet e syve me ato të kokës. Normalisht ka akoma beba që kanë strabizëm gjatë muajit të pestë por kjo do korrigjohet së shpejti dhe në mënyrë që mami ta ndihmojë të korrigjohet sa më parë ajo duhet të lëvizi para syve të tij disa herë në ditë një objekt që shkëlqen. Duhet lëvizur majtas, djathas.
Zhvillimi social dhe afektiv
Tingujt që nxjerr bebi janë akoma të kryera pa përdorimin e gjuhës. Kur është zgjuar ai “flet” shumë dhe mami mund ta shoqërojë duke i folur edhe vetë. Kjo do ta inkurajojë të “flasi” akoma më shumë. Ndonjëherë thotë ndonjë A ose E të qartë, pushon pastaj dhe mbas disa sekondash i përsërit me kënaqësi.
Me kalimin e ditëve fillon me rrokje DA, DE, GU dhe mund ti bashkojë në një zinxhir rrokjesh ritmike.
Kontakti social
Përveç reagimeve të lindura, në këtë kohë shfaqen edhe reagime të tjera si gëzim, mërzitje ose nerva. I pëlqen të jetë i shoqëruar gjithmonë dhe nëse i flitet ose i jepet vëmendje tregon lumturi.
Personaliteti i tij tregohet ditë për ditë dhe më shume: i qeshur, aktiv, i ndjeshëm ose i urtë. Mamatë mund të konfirmojnë se kanë vënë re për shembull se janë beba shume dembel të cilët qajnë nëse duhet të thithin me forcë nga gjiri për të marr qumësht ose fëmijë që qajnë nëse i ngrihet pak zëri ose beba që janë krejt indiferent.
Po në këtë periudhë fillojnë avash avash të dallojnë personat e familjes nga ato të huaja.
Zhvillimi fizik
Pesha
Rritja e peshës do të jetë më e vogël në krahasim me atë të muajit të kaluar: 600-700 gram në muaj me një mesatare prej 20 gramë në ditë. Një beb nomal, kur është 5 muaj ka dyfishëzuar peshën e lindjes. Përjashtim bëjnë bebat që kanë lindur me një peshe shumë të vogël, ato dyfishëzojnë peshën e tyre më shpejt ose ato që kanë lindur me një peshë mbi 4 kg, këto dyfishëzojën peshën e tyre më vonë.
Gjatësia
Tani bebi është zgjatur me rreth 13-15 cm nga gjatësia e lindjes. Gjatë muajit të fundit është rritur me rreth 2 cm. Që tani ai do rritet më pak, me rreth 1 cm në muaj.

 

Foto Aleks Doko 

 

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni