Femija im me ndricon jeten



Zhvillimi emocional në vitet e para të jetës

Që nga lindja, deri 5 vjeç

Vitet e para të jetës janë një periudhë e rëndësishme sidomos përsa i përket zhvillimit emocional të fëmijës. Është koha kur fëmijët fillojnë të ndërtojnë marrëdhëniet me personat që janë të rëndësishëm për ta.

Është koha gjithashtu kur fëmijët zbulojnë për veten, për botën, për ndjenjat e tyre dhe ato të njerëzve përreth tyre. Nëse zhvillimin fizik dhe atë gjuhësor kemi mundësi ta shohim, zhvillimi emocional është më pak i dukshëm. Duke i kushtuar vëmendje sjelljes së fëmijës, ne kuptojmë se si ndihen dhe se si e kuptojnë ata botën. Kjo na ndihmon të mësojmë si t’u përgjigjemi nevojave të tyre dhe të kuptojmë se ndjenjat tona ndikojnë gjithashtu edhe në ndjenjat e tyre.

Fazat e zhvillimit emocional nga lindja deri 6 muajsh

Pas lindjes, foshnjat fillojnë të mësohen me jetën jashtë barkut të nënës duke krijuar dhe duke zhvilluar marrëdhënie besimi me prindërit ose kujdestarët e tyre.

Foshnjat qeshin, qajnë, kuptojnë, ju shikojnë, thithin dhe ju bëjnë të ditura nevojat e tyre për kujdes dhe dashuri.

Foshnjave u pëlqen kontakti ballë për ballë dhe t’u flasësh: Kjo i ndihmon ata të ndihen të dëshiruar, të rëndësishëm dhe forcon marrëdhënien e tyre me prindërit.

Foshnjat ndihen të sigurta dhe qajnë më pak kur i mbajmë hopa dhe i përqafojmë.

Foshnjat, si në rastin kur kanë nevojë për qetësi, ashtu edhe kur ndjehen plotësisht të relaksuar, jua tregojnë këtë me gjeste të tilla siç është zhvendosja e shikimit tutje.

Ndërsa zhvillohen, foshnjat, gradualisht, janë më të afta të ndjehen rehat me veten për periudha pak më të gjata kohe dhe fillojnë të argëtojnë vetveten.

Fazat e zhvillimit emocional nga 7 - 18 muajsh

Fëmijët marrin kënaqësi nga bota përreth duke prekur, mbajtur dhe vendosur objekte në gojën e tyre.

Fëmijët marrin kënaqësi teksa ju vështrojnë dhe shohin çfarë ndodh përreth tyre.

Marrëdhënia e fortë me prindërit dhe vëmendja e tyre u jep atyre siguri.

Fëmijët fillojnë të kuptojnë se janë një qenie e ndarë nga prindërit në eksplorimin e botës.

Fëmijët fillojnë të bëjnë lidhjen midis fytyrës së një personi dhe tonit të zërit, psh. një fytyrë e lumtur me një zë të ngrohtë.

Fëmijët fillojnë të qetësojnë veten duke thithur gishtin ose duke u përqendruar në zakone të tjera si loja, përmes të cilave do të kuptojnë se prindërit nuk janë gjithmonë të disponueshëm.

Kur prindërit u përgjigjen shpejt, në mënyrë të vazhdueshme dhe me ndjeshmëri, fëmijët mësojnë më shpejt rreth ndjenjave të tyre dhe si t’i menaxhojnë ato.

Fazat e zhvillimit emocional nga 18 mujash deri 3 vjeç.

Fëmijët fillojnë të bëhen më të pavarur dhe dëshirojnë të ndjekin rrugën e tyre. Ata ndryshojnë sjellje shumë shpejt, nga i pavarur në i varur, nga agresiv në i qetë.

Fëmijët e kuptojnë botën vetëm nga këndvështrimi i tyre.

Fëmijëve u pëlqen të testojnë kufijtë që u kanë vendosur prindërit, për t’u siguruar që kufijtë janë ende aty.

Shpërthimet e inatit dhe reagime të tjera të nervozizmit dhe të frustrimit, janë të zakonshme.

Fëmijët reagojnë mirë ndaj përqafimeve, përkëdheljeve, mbajtjes në krahë, ndaj tingujve të qetë e relaksues dhe ndaj vendeve të sigurta.

Fëmijët i shprehin ndjenjat dhe mësojnë t’i menaxhojnë ato nëpërmjet lojës.

Fëmijët fillojnë të emërtojnë ndjenjat e tyre dhe të të tjerëve, psh.: I zemëruar, i lumtur, i habitur, i frikësuar etj. Këngët, historitë dhe lojërat imagjinare i ndihmojnë ata të njohin ndjenjat e tyre dhe të të tjerëve.

Fëmijët fillojnë të kuptojnë lidhjen shkak-pasojë dhe kujtojnë nga eksperiencat e mëparshme shkaqet dhe pasojat e ndjenjave të tyre. Në këtë rast, vijnë në ndihmë prindërit, të cilët komunikojnë me ta.

Komunikimi me fëmijët përpara situatave të vështira, siç është ndarja e prindërve, i ndihmon ata të menaxhojnë ndjenjat e tyre dhe të ndjehen më të sigurtë.

Them “jo” edhe kur dua të them “po” sepse kjo është mënyra për të krijuar pavarësinë time.

Fazat e zhvillimit emocional nga 3 deri 5 vjeç

Fëmijët luajnë më tepër me fëmijët e tjerë dhe mund të ndjehen të mërzitur kur lihen vetëm.

Fëmijët bëhen më të sigurtë në vetvete dhe u pëlqen të kërkojnë vëmendjen e prindërve të tyre.

Fëmijët fillojnë të shprehin ndjenjat më tepër përmes fjalëve sesa nëpërmjet veprimeve.

Fëmijët fillojnë të tregojnë interes për ndjenjat e të tjerëve dhe kuptojnë se ato mund të jenë të ndryshme nga të tijat, për të njëjtën situatë.

Fëmijët janë shprehës dhe magjikë në të menduarin e tyre. Ata besojnë se ëndrrat realizohen, prandaj është e rëndësishme që prindërit të tregojnë kujdes kur flasin për gjëra të rëndësishme.

Prindër, ju mund ta ndihmoni zhvillimin tim emocional duke:

  1. Kuptuar fazat e zhvillimit emocional
  2. Më mbështetur gjatë ankthit të ndarjes
  3. Përballuar në mënyrë të vazhdueshme shpërthimet e inatit.
  4. Më ndihmuar të fitoj kontroll mbi frikërat e mia.
  5. Nxitur zhvillimin tim për një vetëvlerësim pozitiv.

 

 

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni