Femija im me ndricon jeten



Seksualiteti nga fëmijëria në adoleshencë

Në takimet e projektit të “Shkollës së Mamave” mbi prindërimin e mirë me sociologun Gëzim Tushi, është folur shpesh se shoqëria ka marrë një ndikim më të fortë se familja në edukimin e fëmijëve. Kjo është e vërtetë, familja e ka humbur funksionin e saj edukues duke e lënë pre fëmijën të ndikimit të pakontrolluar të shoqërisë dhe të normave që vendos ajo.

Por kjo nuk është e pakthyeshme sepse fëmija qëndron shumë kohë me prindërit dhe nëse ata bëjnë ndryshimet e duhura me veten, kjo do të rezultojë më efikase. Prindërit duhet të kushtojnë kohë, kontroll, vëmendje, dashuri, prezencë, përfshirje aktive në jetën e fëmijës.

Fëmija është si betoni i lëngët që merr formë nga prindërimi që i jep. Seksualiteti është një çështje që prindërit me dekada e kanë anashkaluar dhe nuk marrin pjesë në këtë lloj edukimi. Nga ana tjetër shkolla çalon për arsye të tjera, ajo e vë kaq shume theksin tek zhvillimi intelektual sa ka harruar zhvillimin shpirtëror, detyrë që iu mbetet plotësisht prindërve.

Ka disa forma prindërimi që vihen re të cilat dëmtojnë zhvillimin e fëmijës: prindër që kanë një vetbesim shumë të madh për veten e tyre dhe nuk e vënë asnjëherë veten në dyshim dhe prindër që duan të rrisin fëmijë në epruveta, duke nxitur një edukim steril. Të përshtatesh me ndryshimet sociale, të jesh i zhdërvjellët, dinamik duket forma që fëmija mund të pranojë më me lehtësi.

Si nis seksualiteti?

Që nga lindja, që nga prekja. Qëkur fëmija i sapolindur futet në shtëpi, kupton ambjentin, mos harroni që ata janë si barometër të emocioneve tuaja. Kontakti fizik është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijës, prekja i rrënjos mendimin fëmijës se trupi është i mirë dhe se është mirë të të prekin dhe të prekesh. Fëmija mëson se prekja është një mënyrë për të treguar dashuri njëri-tjetrit dhe se ta respektosh nevojën e prekjes të bën të ndihesh mirë me veten.

Por seksit të fëmijës kur lind i jepet rëndësi më shumë se çdo karakteristikë tjetër. Madje duke përdorur seksin, prindërit tolerojnë dhe justifikojnë sjellje të caktuara. Në një eksperiment, një gruaje i jepej një bebe për tu kujdesur pa i treguar seksin e vërtetë të fëmijës. Në rastet kur fëmija ishte mashkull dhe qante, gruaja e quante një fëmijë agresiv dhe qarraman, ndërsa kur ishte femër si të shqetësuar dhe të ndjeshme. Kjo tregon sesi seksi ndryshon mendimet tona për sjelljet duke mos na bërë objektiv.

Rreth moshës 3 vjeç fëmija dallon mashkullin nga femra ( identiteti seksual) , rreth moshës 4 vjeç kupton që mashkulli bëhet burrë dhe femra bëhet grua dhe rreth moshes 5 vjeç kupton që seksi është i pandryshueshëm. Këto mosha janë të ndryshueshme sepse fëmijët janë më të ekspozuar ndaj televizionit, ndryshimeve të shoqërisë dhe prindërit reagojnë shumë më herët në bazë të seksit të fëmijës duke i shtyre drejt hyrjes së roleve. Për fëmijën, deri ne moshën dy vjeç, ka pak dallime të jesh mashkull apo femër por pas kësaj moshe këto ndryshime bëhen më të theksuara. Nënat në përgjithësi i trajtojnë fëmijët në mënyrë më të njëtrajtshme, pavaresisht nga seksi, sidomos nënat që punojnë. Ndërsa babai mbetet figura më stereotipike, është ai që rrënjos te fëmija çfarë duhet dhe nuk duhet sipas seksit që ka. Por nga ana tjetër, studimet sugjerojnë se babai ka rol më të madh se nëna në zhvillimin e identitetit seksual. Fëmijët identifikohen me nënën por nga babai marrin qëndrimet ndaj seksualitetit. Djemtë duan një baba që është i përfshirë në familje, aktiv, disiplinues por jo i ashpër dhe që është vendimarrës. Ndërsa për vajzat, babai përbën eksperiencën e parë të seksit të kundërt dhe e ndihmon të shijojë të qënit femër. Gjithashtu marrëdhënia mes prindërve dhe si e perceptojnë fëmijët është e rëndësishme. Nëse djali shikon babain që trajton mamin me dashuri dhe respekt mëson se kjo është sjellja që pritet nga ai dhe kjo e përgatit të mos tallet me seksin e kundërt. Vajzat po ashtu duke parë reagimet e prindërve me njëri tjetrin shikon si femra trajtohet nga mashkulli dhe si femra trajton veten e saj po ashtu.

Kur fillojnë pyetjet rreth seksualitetit?

Mund të fillojnë rreth moshës 3 vjeç ose edhe më parë dhe do të jenë të tipit: Si do jenë fëmijët e mi?, Ku isha para se të lindja?, Si doli fëmija? etj. Përgjigjet duhet të përmbajnë fjalë të kuptueshme për moshën e fëmijës, duhet të jenë sa më të shkurtra dhe sa më pranë të vërtetës sepse me kohën do të mësoje gradualisht.

Psh: fëmijët e tu varet se si do jetë gruaja jote, për të treguar ngjashmërinë mes prindërve dhe fëmijëve; para se të lindje ishe në barkun e mamit dhe tregojini mama shtatzanë kur ti shihni rrugëve; ndërsa për pyetjen si doli fëmija, e pranueshme për moshën e tyre është të thuhet se doli nga barku. Ka shumë mendime se fëmijës i duhet treguar e vërteta përsa i përket lindjes, por kjo mbetet në dëshirën e prindit, mjafton që përgjigja të mos jetë e gabuar. E mira është mos ti shmangni këto pyetje sepse fëmija mund ti shprehë në veprime paqartësitë e tij, si psh ngre fundet e femrave, kjo tregon për një fëmijë që nuk beson se femra ka një organ ndryshe nga i tij.

A duhet të qëndrojme lakuriq para fëmijëve?

Për këtë ka dy mendime: e para është që mund të qëndrojmë lakuriq me ta deri në momentin që fëmija fillon dhe mbulohet nga ne, ky është sinjali që ai e mbyll këtë kapitull. Mendimi tjetër është se deri në moshën 2 vjeç e gjys, fëmija nuk e ka sensin e masës dhe volumit, prandaj nuk dallon ndryshimet seksuale mes prindërve. Mbas kësaj moshe ai dallon masën dhe e lidh këtë me të bukurën. E madhja është më e bukur se e vogla dhe kjo e bën të ndihet inferior. Pra do të krahasohet me prindërit dhe do të ndihet keq kur sheh  veten. Kjo frike do të rikthehet në parapubertet.

Në lidhje me eksplorimin e organeve gjenitale vetëm ose me fëmijë të tjerë, ju lutem shihni në guidën e prindërve, artikullin “Trupat e vegjël kureshtarë”. Aty do të gjeni sqarimet e nevojshme. Mos harroni se prekja e organeve gjenitale fillon herët si pjesë normale e zhvillimit të fëmijës, ashtu siç preket çdo organ tjetër dhe se është mëse normale të përjetohet kënaqësi. Ajo që duhet theksuar se kënaqësia që përjetohet në fëmijëri nga prekja e organeve gjenitale nuk ka aspak të bëjë me kënaqësine seksuale që përjetojnë të rriturit dhe se kjo nuk tregon se ata do të përfshihen në raporte me të tjerë. Mënyra si do të reagoni kur ti shihni duke prekur organet e tyre do të ndikojë jashtzakonisht shumë sesi do të ndihen fëmijët me trupin e tyre dhe ndjenjat e fajit në të ardhmen.

Masturbimi

Masturbimi ose të lozurit me gjenitalet fillon që në moshën 2 vjeç dhe zgjat deri 6 ose 7 vjeç për tu rikthyer në moshën 12 e sipër. Masturbimi kontribuon në zhvillimin e seksualitetit të shëndetshëm dhe në pëlqimin e trupit. Nëse do ti thoni fëmijës “mos e bëj” dhe kësaj i shtoni shprehje të tmerrshme si : do ta pres, do të qorrohesh etj, po i tregoni fëmijës se kjo është një gjë shumë e pisët dhe ai do te ndjehet i poshtëruar para jush dhe në faj me veten. Ndërkohë që kjo nuk është mënyra më e mirë për ta ndaluar, mjafton ti tërhiqni vëmendjen me gjëra që atij i pëlqejnë, por pa i rënë në sy se jeni i nxehur. Ju duhet ta kuptoni se është normale kënaqesia e ndjerë nga organet dhe nuk është e nevojshme ti bashkangjisni epitete ofenduese fëmijës. Shqetësuese mund të jetë kur fëmija e përsërit këtë sjelle kaq shpesh sa mbyllet në dhomë dhe arrin të qetësohet vetëm përmes masturbimit. Nëse fëmija është në ankth ose janë të bezdisur, kanë tendencë ti kthehen trupit të tyre për stimulim. Po ashtu fëmijët që nuk ndjehen rehat me veten në shtëpi, shkollë dhe në aktivitete të tjera, ka më shumë mundësi të tërhiqen në izolim duke ju bërë zakon stimulimi gjenital. Kini parasysh që nuk është masturbimi, sjellja me të cilën duhet të merreni por me kushtet që e çojnë fëmijën në masturbim. Mund të jetë një ndryshim i madh në familje, lindja e një fëmije, ndërrimi i shpeshtë i vendbanimit, shkollës, kopshtit, presioni shkollës, problemet mes prindërve etj. Meqenëse femija zgjedh këtë formë të çliroje tensionin, atëhere ofrojini mënyra alternative si psh ti bëni masazh, ti qëndroni më shumë se zakonisht afër, të krijoni një ambjencë argëtuese me muzikë dhe lexim përrallash. Mjafton që ju si prindër të jeni vëzhgues të mirë dhe të kuptoni nevojat e fëmijës që të jeni sa më pranë tij kur ka nevojë.

Të fillosh të flasësh me fëmijën që në fëmijëri për seksualitetin prezupozon se mund të ndiheni më pak në siklet kur të vijë mosha e adoleshencës dhe të flisni me fëmijën për mbrojtjen gjatë raporteve që do të kenë. Nëse kjo bëhet e vështirë për ju dhe meqë nuk do ti pëlqente fëmijës t’ju shihte të hyni në një rol edukativ, mund ti sugjeroni një libër ose një takim me gjinekolog. Është shumë e rëndësishme që baballarët të marrin përsipër edukimin seksual të djemve që në moshë të hershme.  

 

Aida Kryekurti

Psikologe

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni