Femija im me ndricon jeten



10 Parimet e prindërimit të mirë

Ҫfarë është prindërimi i mirë?

Prindërimi i mirë përfshin disa elementë si ndershmëri, empati, vetbesim, mirësi, vetkontroll, bashkëpunim dhe gëzim. Prindërimi i mirë ndihmon fëmijët të kenë rezultate të mira në shkollë; promovon zhvillimin e kuriozitetit intelektual, motivimin për të mësuar dhe dëshirën për arritje. Prindërimi i mirë frenon fëmijën nga sjellja antisociale, kriminaliteti, përdorimi drogës dhe alkolit. Prindërimi i mirë ndihmon fëmijën kundër zhvillimit të ankthit, depresionit, çrregullimeve të ngrënies dhe strese të tjera psikologjike.

 

1. Ҫfarë ti bën si prind ka rëndësi

Ji një prind i ndërgjegjshëm, në mënyrë të qëllimshme. Sa më shumë bëni përpjekje të praktikoni prindërimin e mirë, aq më shumë instiktive bëhet, për ato raste kur nuk do të keni kohë të mendoheni apo nuk do të keni zgjidhje të tjera.

Gjenet nuk i bëjnë prindërit të parëndësishëm. Ekziston një ndryshim i madh midis të thënit se karakteri i një fëmije ështe i ndikuar nga gjenet dhe të thënit se është i përcaktuar prej tyre. Mënyra sesi ju i shprehni gjenet tuaja ndikon në zhvillimin e fëmijës, ndaj çfarë ju bëni si prind ka shumë rëndësi.

Fëmijët mësojnë duke parë. “Modelet e para të fëmijëve janë prindërit”. Karakteristikat e fëmijëve janë pjesërisht të trashëguara dhe ata janë veçanërisht të prekshëm nga emocionet që prindërit transmetojnë. Shumë prindër e nënvlerësojnë faktin se sa fëmijët e tyre janë të vetëdijshëm për çfarë prindërit e tyre thonë dhe bëjnë. Të mësuarit përmes vëzhgimit do të jetë prezent përgjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës gjithashtu. Fakti është se ndonëse fëmijët janë të influencuar nga shoqëria, televizioni dhe media në përgjithësi, prindërit mund të ndikojnë në zgjedhjet që ata bëjnë. Kuptoni se dallimi që mund të bëni ju si prind është roli i “menaxherit” të kohës së lirë dhe shoqërisë së fëmijës tuaj.

Mësoni nga gabimet tuaja. Kur fëmijët shohin se prindërit janë të gatshëm të pranojnë gabimet e tyre, ka më shumë të ngjarë të respektojnë këndvështrimet sepse e dinë se prindërit i respektojnë mendimet e ndryshme. 

2. Mos reshtni së dhëni dashuri

Nuk është e mundur ta dëmtosh një njeri duke i dhënë shumë dashuri. Dëmtimi është zakonisht si pasojë e dhënies fëmijës objekte në vend të dashurisë. Kur fëmijët ndjehen vërtet të dashuruar zhvillojnë një ndjesi të fortë sigurie sa bëhen gjithnjë e më pak nevojtar.

Shprehni afeksion fizik. Ne jemi qënie që kemi nevojë për kontakt fizik me të tjerët. Fëmijët kanë nevojë për shumë afeksion fizik nga prindërit e tyre, jo vetëm kur janë foshnje por përgjatë  fëmijërisë dhe adoleshencës.

Lavdëroni arritjet e fëmijës. Disa prindër shqetësohen se lavdërimi i shpeshtë i bën ata të ndjehen sikur dashuria e tyre është e kushtëzuar. Por kjo nuk përbën problem nëse ju e shprehni dashurinë dhe afeksionin në të gjitha mënyrat dhe kohë të ndryshme dhe jo vetëm kur fëmija ka arritur sukses në diçka. Për këtë duhet që: së pari, përpiqu të lavdërosh arritjen specike, në vend që ta lidhësh arritjen me dashurinë për fëmijën. Së dyti, fokusoje lavdërimin tek lidhja midis arritjes dhe përpjekjeve të fëmijës. Së treti, lidhe lavdërimin me cilësinë e arritjes dhe së fundi, nëse ndjeni se duhet ti krahasoni arritjet e fëmijës me diçka, bëjeni këtë me arritjet e tij të mëparshme dhe jo me ato të të tjerëve. 

Përgjigju nevojave emocionale të fëmijës. Kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që prindërit bëjnë, të kuptuarit të zhvillimit emocional të fëmijës.

Foshnjëria— siguria: Si mund ta ndihmoj fëmijën të ndjehet i sigurtë?

Fëmijëria— pavarësia: Si mund ta ndihmoj fëmijën të zhvillojë vetkontroll?

Fëmijëria e hershme — si pjesë e shoqërisë:Ҫfarë mund të bëj që ta ndihmoj fëmijën të ndjehet më i rritur?

Shkolla elementare— kompetenca: Si mund ta ndihmoj fëmijën të ndjehet më i aftë ?

Adoleshenca e hershme– individ i ndarë emocionalisht dhe mendërisht : Si mund ta ndihmoj adoleshentin të ndjehet më i pavarur?

Adoleshenca e vonë— identiteti : Si mund ta ndihmoj adoleshentin të kuptojë më mirë veten?

Siguro një ambjent pozitiv. Kushtojini shumë rëndësi atmosferës emocionale në shtëpi, e cila përfshin mënyrën sesi ju bashkëveproni më bashkshortin/en tuaj dhe fëmijët e tjerë.

3. Përfshihu në jetën e fëmijës

Ji i përfshirë. Parashikuesi më i mirë i shëndetit mendor të fëmijës, lumturisë dhe mirëqënies është përfshirja e prindërve ne jetën e fëmijëve të tyre.

Kalo kohë cilësore me fëmijët. Koha cilësore nuk është ajo çfarë bën ti me fëmijën por sa jeni me mendje prezent kur bëni aktivitete me të.

Trego interes për dëshirat e fëmijës. Kujtoji vetes se të kalosh kohë me fëmijën nuk është asnjëherë humbje kohe.

Rëndësia e përfshirjes në shkollë. Duke u përfshirë veten në shkollimin e fëmijës, ju i tregoni atij se shkolla ështe e rëndësishme edhe për ju. Një nga funksionet thelbësore të detyrave është ta ndihmoni fëmijën të menaxhojë kohën e tij, të monitoroni mësimet që t’ju përgjigjen kërkesave të mesuesve.Në shkollën fillore sigurohuni që fëmija të ndërtojë zakone të rregullta pune ndërsa më vonë limitojeni përfshirjen.

Shmangni prindërimin e bezdisshëm. Pjesë e të bërit fëmijës të shëndetshëm, të lumtur dhe të suksesshëm eshtë zhvillimi i sensit te vet-mjaftueshmërisë.

4. Përshtate prindërimin me fëmijën

Mbaj një qëndrim paqësor me zhvillimin e fëmijës. Prindërimi i mirë është fleksibël dhe ka nevojë ti përshtatet fazave të zhvillimit të fëmijës. Zhvillimi është më tepër se rritja fizike, përfshin gjithashtu ndryshime në të menduarit e fëmijës, në ndjenja, në gjërat që është i aftë të bëjë, çfarë mendon për veten dhe mënyra si shoqërizohet me të tjerët. Mëso për fazat e zhvillimit psikologjik nëpër të cilat kalon fëmija që të mund të parashikosh edhe sfidat me të cilat do të përballesh si prind. Mos harroni, prindërimi nuk bën fjalë për të fituar ose humbur, bën fjalë për të ndihmuar fëmijën të zhvillohet në mënyra të shëndetshme.

Përshtate prindërimin në bazë të temperamentit të fëmijës. Qëllimi është të krijuarit të situatave që vënë në dukje pikat e forta të fëmijës dhe shmang ato të cilat theksojnë dobësitë e tij. Kjo kërkon ta njohësh fëmijën në vazhdimësi, të jesh fleksibël dhe të trajtosh fëmijën si një individ.

Fëmija yt është unik. Nuk duhet të ndryshoni thelbin e fëmijes por duhet ta përmirësoni atë në varësi të karakteristikave personale të tij.Nëse keni më shumë se një fëmijë, mos pretendoni që t’ju kuptojnë se i trajtoni ndryshe por mundohuni të kaloni kohë vetëm për vetëm me secilin prej tyre. 

Kini durim gjatë tranzicioneve të zhvillimit. Periudhat më sfiduese që do të kaloni si prind janë ato kur fëmija kalon nga një fazë zhvillimi në tjetrën sepse këto shoqërohen edhe me ndryshime të shpejta në proçeset e trurit. Lajmi i mirë është se nuk do të zgjasin përgjithmonë.

Roli juaj si prind do të ndryshojë me kalimin e kohës. Kjo do të ndodhë me rritjen e fëmijës     dhe ju  do të “humbisni” disa nga funksionet tuaja që kanë qënë absolute në fëmijëri por që marrin të tjera vlera në mosha të ndryshme. Zhvillimi i fëmijës është në ndryshim ndaj kjo kërkon që dhe ju si prind  të ndryshoni.

 

5. Krijo rregulla dhe vendos kufizime

Të gjithë fëmijët kanë nevojë për rregulla dhe kufizime. Strukturimi i bën fëmijët të ndjehen më të sigurtë. Arsyeja kryesore e rregullave dhe limiteve është se me kalimin e kohës ato e ndihmojnë fëmijën të zhvillojë aftësinë të menaxhojë sjelljen e tij. Fillimisht fëmija e ben këtë sepse i kërkohet nga ju dhe të tjerët derisa kontrolli i sjelljes i vjen së brendshmi.

Ji i vendosur por i drejtë. Një nga detyrat tuaja si  prind është që të siguroheni se fëmija bën atë që është më e mira për të edhe nëse mendimet tuaja nuk janë të njëjta. Nëse nuk jeni në gjëndje të jeni të vendosur sepse nuk e përballoni dot që fëmija të jetë i nevrikosur me ju, rrezikoni që dëshira juaj për të qënë shok i fëmijës do të përplaset me detyrimet tuaja si prind. Autoriteti juaj duhet të burojë nga gjykimi i mirë dhe që nxit bashkëpunimin.

Rëndësia e monitorimit.  Të dish ku fëmija ndodhet, me kë dhe çfarë është duke bërë në mënyrën që tregon më shumë merak sesa dyshim.

Zgjeroni limitet ndërsa fëmija rritet. Nëse shtrëngoni kufizimet ndërsa fëmija zhvillohet, ai do të bëhet më rebel sepse është natyrale përderisa ai kërkon të rrisë pavarësinë e tij.  Gjëja e duhur për tu bërë është që ndërsa fëmija rritet, gradualisht të hiqni disa kufizime nëse ai tregon përgjegjshmëri.

6. Inkurajoje fëmijën të zhvillojë pavarësinë

Nevoja e fëmijës për pavarësi. Shumë prindër gabimisht e quajnë dëshirën e fëmijës për pavarësi si rebelizëm dhe mosbindje. Fëmijët kanë nevojë për liri dhe kufizime njëkohësisht. Komponentët kryesor për pavarësi efektive janë: të aprovosh zgjedhjet e fëmijës, të lavdërosh për zgjedhjet që bën, të ndihmosh fëmijën të mendojë përmes vendimeve të vështira dhe të lejosh fëmijën të mësojë nga vendimet e gabuara.

Përballja me mendimet e kundërta dhe argumentat. Rebelimi konstant nuk është shenjë e një zhvillimi të shëndetshëm por shumë pasivitet në atë moshë kur fëmija mund ta shprehë mendimin e tij është shenjë papjekurie. Fakti që fëmija të kundërshton është diçka e mirë.

Jepi fëmijës hapësirë psikologjike. Nëse ju jeni shumë i bezdisshëm, ju jeni duke minuar sensin e vetbesimit të fëmijës. Është e vështirë për prindërit të pranojnë këtë por ka raste kur fëmija është i mërzitur dhe mund të qetësohet më mirë vet sesa nga dikush tjetër dhe të mësuarit të kësaj është një aftësi e rëndësishme me të cilën prindërit ndërhyrës përballen.

Mbro kur duhet por lejo kur mundesh. Me fjalë të tjera, përpiqu të maksimalizosh pavarësinë e fëmijës përsa kohë nuk rrezikohet shëndeti, mirëqënia apo e ardhmja e tij. 

7. Ji i qëndrueshëm

Ji i qëndrueshëm ditë pas dite. Problemet e disiplinimit të fëmijëve shpeshherë vijnë nga prindërimi i paqëndrueshëm. Nëse rregullat ndryshojnë shpesh në mënyrë të paparashikueshme ose nëse ju i detyroni fëmijët t’ju binden vetëm ndonjëherë, sjellja problematike është si pasojë e paqëndrueshmërisë tuaj. Mënyra më e thjeshtë për ta mësuar një fëmijë të sillet mirë është ta bësh këtë sjellje një zakon dhe kjo arrihet duke qënë i qëndrueshëm ditë pas dite. Ka shumë shkaqe të paqëndrueshmërisë së prindërve, por më thelbësorja është stresi.

Rëndësia e rutinës. Rutina familjare i bën fëmijët të ndjehen më të sigurtë sese ata ndjejnë kontroll kur e dinë çfarë të presin.

Ji i qëndrueshëm pa qënë i ngurtë. Ndryshimi qëndron në faktin se disiplina e qëndrueshme i përshtatet situatave ndërsa disiplina e ngurtë është e njëjtë pavarësisht rrethanave. Përjashtimet e arsyeshme të rregullave nuk e dëmtojnë autoritetin tuaj, përkundrazi e forcojnë pasi tregojnë se rregullat janë të menduara mirë. Përpara se të qortoni fëmijën sigurohuni të gjeni çfarë bëri fëmija dhe arsyet e sjelljes së tij.

Bëjini të qarta të panegociueshmet. Këtu përfshihen rregullat të cilat janë shumë të rëndësishme dhe për të cilat nuk mund të bëni kompromise.

8. Shmang disiplinën ndëshkuese

A duhet të ndëshkohen fëmijët? Ka tre mënyra për ti ndryshuar sjelljen fëmijës: ndëshkimi, shpërblimi ose shpjegimi. Pyetja më e rëndësishme që shtrohet për ndëshimin nuk është fakti se duhet përdorur apo jo, por kur dhe në çfarë mënyre. Fuqia juaj mbi fëmijën dhe të ndjerit në faj do të humbasin vlerë me rritjen e fëmijës. Ndëshkimi duhet të shkaktojë pakënaqësi që të jetë efektiv. Ka dy elementë që duhen patur parasysh: ndëshkimi duhet të jepet në mënyrë të qëndrueshme dhe së dyti, menjëherë pas sjelljes problematike.

Mos përdorni kurrë ndëshkimin fizik. Nëse ju zgjidhni ndëshkimin fizik, do të krijoni më tepër probleme sesa do të zgjidhni. Lidhja midis këtij lloj ndëshkimi dhe agresivitetit të fëmijës është dokumentuar në shumë studime.

Shmang abuzimin verbal. Nëse fëmija ndjen se po i flisni në mënyrë armiqësore, vëmendja e tij do të fokusohet më shumë tek toni i zërit sesa tek përmbajtja e fjalëve.

Kontrolloni zemërimin. Asnjëherë mos disiplinoni kur jeni të zemëruar. Kujdes me të bërtiturat. Sjellja e fëmijës do të përmirësohet përkrah tuajës.

Rruga e duhur për të ndëshkuar. Ndëshkimi efektiv përfshin 5 elemente sipas rradhës së mëposhtme:

Të identifikosh sjelljen e gabuar

Të kuptosh pasojat e sjelljes së gabuar

Te sugjerosh sjellje alternative

Te shpjegosh cili do të jetë ndëshkimi

Të shpjegosh çfarë pret që fëmija të bëjë më mirë herën tjetër

9. Shpjegoni rregullat dhe vendimet tuaja

Ji i qartë në pritshmëritë e tua. Prindërit e mirë janë të qartë me fëmijët se çfarë presin nga ta.

Arsyetimi me fëmijët.

  • Për fëmijët nën moshën 6 vjeç, shpjegimet tuaja kanë nevojë të jenë të arsyeshme.
  • Për fëmijët midis 6 dhe 11 vjeç, shpjegimet kanë nevojë të jenë të arsyeshme dhe llogjike.
  • Për fëmijët mbi 11 vjeç, shpjegimet tuaja duhet të jenë të arsyeshme, llogjike dhe të qëndrueshme me gjëra të tjera që keni bërë dhe thënë.

Dëgjojeni këndvështrimin e fëmijës. Kjo është e nevojshme që të krijohet ideja se mendimi i fëmijës ka vendin e tij, se ai bëhet pjesë e vendim marrjes dhe ndihmon prindërit të kuptojnë sesi fëmija i sheh gjërat.

Pranojini gabimet tuaja. Fëmijët mësojnë më së shumti duke parë prindërit e tyre sesa duke i dëgjuar ata.

10. Trajtojeni fëmijën me respekt

Merr dhe jep respekt. Respekti nuk matet kur njerëzit janë dakort mes tyre por sesi sillen kur nuk janë dakort. Prindërit shqetësohen për respektin që duhet të tregojë fëmija kundrejt tyre por harrojnë respektin që vet ata duhet të tregojnë ndaj fëmijës dhe shembullit që u japin me njerëzit e tjerë.

Krijo një komunikim reciprok.Një nga gjërat që fëmijët dhe adoleshentët do të dëshironin të ishte ndryshe në familjet e tyre është të kalonin më shumë kohë me ta për të folur. Për të zhvilluar këtë komunikim reciprok ju si prind mund të kontribuoni duke:

U kushtuar vëmendje

Kërkoni në mënyrë aktive këndvështrimin e fëmijës

Bëni pyetje që kërkojnë përgjigje më të detajuara nga fëmija

Mos e ndërprisni

Ji i sinqertë

Lejoje fëmijën të sillet sipas moshës. Të jesh një fëmijë supozon të jetë argëtuese.

                                   

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni