Femija im me ndricon jeten



Guidë për të kuptuar më mirë fëmijët me autizëm në ambjentin shkollor

Ky artikull është shkruar për t’i ardhur në ndihmë mësuesve që kanë fëmijë që vuajnë nga autizmi në klasat e tyre të shkollave publike, një nevojshmëri nga një përvojë reale . Fatmirësisht arsimi githëpërfshirës mundëson hyrjen me ligj të këtyre fëmijëve në këto shkolla por kjo gjeti të pa përgatitur një shoqëri të tërë. Ndaj dëshiroj që ato mama të cilat në klasën e fëmijës së tyre kanë një fëmijë që vuan nga autizmi, ta lexojnë këtë artikull dhe ta pranojnë atë si shok/shoqe të fëmijës. Fëmijët lidhen mes tyre shumë më natyrshëm dhe pa i dhënë rëndësi ndryshimeve. 

 

Ҫfarë është Autizmi?

Ҫrregullimi i spektrit të Autizmit është një paaftësi komplekse gjithpërfshirëse zhvillimi e cila në mënyrë thelbësore afekton mënyrën se si individi komunikon dhe lidhet me të tjerët. Termi “ spekter autizmi” përdoret shpesh pasi gjëndja varion nga njëri individ tek tjetri. Sindroma Asperger është një gjëndje me funksionimin më të lartë në këtë spektër, ndërsa Sindroma Kanner që referohet si “ autizëm klasik” është funksionimi më i ulët. Pavarësisht se çdo fëmijë me një nga çrregullimet e spektrit të autizmit kanë ndryshime nga njëri tjetri, ata ndajnë të njëjtat dëmtime në aftësinë për të:

  • ndërvepruar në shoqëri dhe në mënyrë të përshtashme,
  • të kuptuarin dhe përdormin e gjuhës ( komunikimi),
  • në të menduarin imagjinativ, në marrjen e kënaqësisë dhe pjesmarrjen në aktivitete të ndryshme; ata shpesh përfshihen në veprime përsëritëse dhe të limituara.

Dëmtimet në sferën sociale mund të shfaqen si:

  • Ftohtësi e dukshme dhe indiferencë ndaj njerëzve të tjerë. Fëmijët mund të lidhen në një nivel të thjeshtë me ndonjë të rritur që njohin mirë por jo me nxënësit e tjerë të klasës.
  • Pranim dhe kënaqësi në kontaktet sociale, por paaftësi për ta filluar një të tillë dhe mbajtur atë.
  • Trajtim i papërshtatshëm ose i çuditshëm i njerëzve të tjerë duke kushtuar pak ose aspak vëmendje në përgjigjet e tyre.
  • Ndërveprim formal dhe i çalë edhe në rastet me funksionim të lartë.

Me fjalë të tjera, fëmijët me autizëm mendojnë në mënyrë literale ( fjalë për fjalë). Ata e kanë të mundimshëm komunikimin dhe shpesh konfuzohen nga rregullat që udhëheqin sjelljen sociale.

Një nga pikat kyçe që duhet mbajtur mend gjatë të mësuarit është se këta fëmijë kanë vështirësi të kuptojnë se cfarë të tjerët dinë dhe mendojnë , ata nuk e kuptojnë lehtë se të tjerët kanë këndvështrime. Mësuesit kanë nevojë të kuptojnë se këta fëmijë nuk do t’i mësojnë sjelljet sociale rastësisht, për këtë është e nevojshme strategji specifike për t’i krijuar mundësi fëmijës t’i përdorë këto aftësi në situata të ndryshme sociale.

Dëmtimet në gjuhë dhe komunikim mund të shfaqen si:

  • Një variacion i gjerë në aftësitë komunikuese , nga fëmijë që nuk flasin në ata që flasin por që e kanë të vështirë ta përdorin gjuhën në mënyrë të përshtatshme. Edhe ata fëmijë me një fjalor të pasur do ta kenë të vështirë ta perdorin gjuhën ashtu siç duhet.
  • Vështirësi me aspektet sociale të gjuhës si marrja/dhënia e rradhës dhe koha.
  • Dëmtim në komunikimin social. Këta fëmijë shpesh ndërveprojnë në mënyrë të papërshtatshme sociale duke bërtitur në klasë, duke ndërprerë bisedat e të rriturve ose duke bërë pyetje në mënyrë të përsëritur.
  • Një paaftësi për të “lexuar” dhe kuptuar rëndësinë e gjesteve, shprehjeve të fytyrës , intonacionit të zërit ose gjuhës së trupit.
  • Një paaftësi për tu lidhur emocionalisht me të tjerët.
  • Një i kuptuar literal i gjuhës ( fjalë për fjalë).

Instruksionet e të mësuarit duhet të fokusohen në vendosjen e vëmendjes, imitimin , të kuptuarin dhe përdorimin e gjuhës në situata sociale. Përdorimi i mjeteve vizuale dhe udhëzimeve është i nevojshëm.

Dëmtimet në imagjinatë mund të shfaqen si:

  • Një përfshirje në aktivitete loje të perseritura, shpesh me lojra të vendosura në rradhë ose që rrotullohen. Materialet e lojës mund të përdoren në mënyrë jo të zakonshme ose fëmija mund të jetë i shqetësuar për detaje pa lidhje.
  • Përfshirje në sjellje stereotipike, si për shembull, vendosje në rrjesht, përkundje, ecje me majën e gishtave dhe nxjerrja e tingujve.
  • Vështiresi me planifikimin dhe organizimin.
  • Vështirësi me ndryshimin e rutinës. Fëmijët mund të shfaqin ankth të tepërt ose  bëjnë pyetje të përsëritura.
  • Vështirësi për të kuptuar pasojat e sjelljeve të tyre dhe probleme me konceptin shkak-pasojë.
  • Një ndarje e mjegullt midis fantazisë dhe realitetit.

Fëmijët me autizem mund të bëhen ankthioz nëse u kërkohet të luajnë me të tjerë dhe preferojnë të luajnë vetëm për periudha të gjata kohe. Ata zhvillojne pak aftësi përballuese për situata që u shkaktojnë stres. Shpesh herë këta fëmijë do të shfaqin sjellje jo të zakonshme që do të interferojnë me aftësinë e tyre për të mësuar. Disa prej këtyre sjelljeve mund të jenë ekstreme dhe sfiduese. Në planin mësimor, mësuesit kanë nevojë ta vëzhgojnë fëmijën për një periudhe kohe që të kuptojnë kushtet të cilat rrisin stresin dhe sjelljet e fëmijës.

Vështirësi të tjera mund të indikojnë për:

  • Anomali sensoriale dhe perceptuale duke përfshirë shpesh mbi ose nën ndjeshmëri ndaj zhurmës, nuhatjes, shijes, dritës, prekjes ose lëvizjes.
  • Probleme me motorikën fine si vështirësi në shkrim.
  • Probleme me motorikën e trashë si ngathtësi.
  • Ҫrregullime me ushqimin, të pirin dhe gjumin.
  • Përqëndrim të kufizuar dhe vështirësi për të larguar shpërqëndrimet e mundshme.
  • Mungesë kontakti me sy.
  • Mund të nënshtrohet shumë lehtë.
  • Zemërim ose agresion kur gjërat nuk shkojnë sipas dëshirës së tyre.
  • Mungesë e aftësive organizative, psh ata mund të harrojnë objekte.
  • Ankth: situatat e pastrukturuara ose të panjohura mund të shkaktojnë ankth për fëmijën. Oborri, korridoret, mensa etj janë burime të zakonshme ankthi.
  • Vështirësi me menaxhimin e kohës, në përfundimin e detyrave dhe ndjekjen e mësimit.
  • Tendencë për të fragmentalizuar të menduarin: ata mund të përfundojnë një detyrë por  mund të mos kenë vëmendje ndaj prezantimit të detyrës.

Disa gjëra që duhet patur parasysh gjatë të mësuarit:

  • Njihe fëmijën individualisht. Kupto autizmin dhe se si ai ndërpret të mësuarin e fëmijës. Përdor pikat e forta të fëmijës për t’i mësuar aftësi të reja.
  • Jepi mundësinë fëmijës të shpjegojë një situatë sipas këndvështrimit të tij. Për këtë mund të përdoren materialet vizuale.
  • Shkurto sa më shumë sasinë e fjalëve kur jep instruksione. Këto instruksione duhet të jenë të qarta, të thjeshta dhe direkte. Tregoji fëmijës se çfarë duhet të bëjë në vend se cfarë nuk duhet të bëjë.
  • Mendo për fjalët që do të përdoren gjatë dhënies së instruksioneve. Fëmija mund të mendojë literalisht ( fjalë për fjalë) dhe në terma konkret. Edhe pse ata mund të kuptojnë çdo fjalë gjatë dhënies së komandave, e kanë të vështirë të kuptojnë nënkuptimet.
  • Jepi kohë fëmijës të proçesojë informacionin , në vend që të prisni një përgjigje të shpejtë.
  • Ruaj strukturën dhe rutinën duke e vënë në dijeni për çdo ndryshim përmes materialeve vizuale ose verbale.
  • Vendos objektiva që janë reale, të arritshme dhe afatshkurtra.
  • Mësoji aftësitë sociale pasi ato nuk vijnë natyralisht.
  • Mos ki frikë nga gabimet, ky është një proçes reciprok të mësuari.
  • Një qëndrim pozitiv, i qetë dhe me  humor ndaj fëmijës është gjithmonë i dobishëm.
  • Strategjitë e zakonshme për ta qetësuar mund të mos funksionojnë gjithmonë. Fëmija mund të ketë nevojë për kohë vetëm sesa për mbështetjen e dikujt tjetër. Nëse fëmija ka kaluar një ditë jo të mirë nuk është faji juaj, nesër është një ditë e re.

Aftësite sociale në klasë:

 

Të kuptuarit e ndërveprimit social është diçka e lindur për shumicën e fëmijëve ndërsa kjo nuk ndodh natyralisht tek fëmijët e diagnostikuar me autizëm. Kjo shkakton vështirësi të mëdha në fushat sociale si:

  • Ndërveprimi me të tjerët.
  • Rregullat e sjelljes.
  • Krijimi i shoqërisë.
  • Kontakti me sy.
  • Emocionet.

Kjo është vështirësi e përgjithshme  e këtyre fëmijëve duke iu prekur të gjitha fushat e jetës. Si pasojë, aftësitë sociale duhen mësuar në mënyre specifike.

Vështirësitë në ndërveprimin social mund të bëhen më të dukshme në situata si:

 

  • Gjatë pushimit dhe ngrënies së ushqimit.
  • Në korridore.
  • Periudha mes mësimeve.

Mungesa e gjykimit social mund të jetë e dukshme në situata si:

 

  • Ndërprerja e mësimit duke folur me zë të lartë ose në mënyrë të vazhdueshme.
  • Të folurit ndaj mësuesit dhe nxënësve në të njëjtën mënyrë, duke treguar për mosnjohje të statusit social.
  • Të komentuarit në mënyrë të papërshtatshme për pamjen apo sjelljen e të tjerëve.
  • Mbështesin rregullat e vendosura në mënyrë të ngurtë.
  • Interpretim i gjuhës në mënyrë literale ( fjalë për fjalë).
  • Fillimi dhe mbajtja e një miqësie mund të jetë e vështirë.
  • Kombinimi ose integrimi i ideve, të kuptuarit se dy mendime të ndryshme mund të jenë të pranueshme.
  • Mund të nisin një bisedë pa marre në konsiderate njohuritë dhe këndvështrimin e bashkëbiseduesit për atë temë.
  • Këta fëmijë shpesh nuk janë në gjëndje të kuptojnë kur një bisedë është mbyllur pasi nuk kuptojnë mesazhet joverbale të bashkëbiseduesit, për këtë arsye ata mund të përsërisin të njëjtat fjali si më parë, pasi nuk munden të alternojnë bisedën.
  • Ata mund të kalojnë nga koha e shkuar në atë të tashmë gjatë të folurit ose aktiviteteve të shkrimit.
  • Vështirësi në marrjen e komandave në grup, mbase ata marrin kohë për të kuptuar mesazhin ose nuk e kuptojnë se janë pjesë e grupit të cilit po iu drejtohet.
  • Paaftësi për të kërkuar ndihmë në mënyrë të suksesshme, për këtë arsye mund të reagojnë në mënyrë të papërshtatshme kur kanë një problem duke i bërë përpjekjet e tyre të pa efektshme.
  • Vështirësi në përdorimin ose interpretimin e shprehjeve të fytyrës ose tonit të zërit gjatë bisedës.

 

 

 

Një mësues i ndërgjegjshëm për “aftësitë sociale” të këtyre fëmijëve duhet të ketë:

 

  • Një të kuptuar të mirë të problemeve të fëmijës në ndërveprimet sociale: të dish çfare mund ta mërzisë fëmijën.
  • Vendosja e një marrëdhënie me fëmijën bazuar në qëndrueshmëri dhe rutinë: të jesh mik me të.
  • Planifikim i kujdesshëm, përdorimi i situatave reale sociale për të inkurajuar fëmijën të punojë në grup me një nxënës tjetër ose në situatat e gjithë klasës: ndihmoje fëmijën të komunikojë me të tjerët, ekzagjero gjestet sociale dhe shprehjet.
  • Qëndro pranë fëmijës kur situatat sociale janë të reja ose ka të ngjarë t’i shkaktojnë konfuzion.
  • Planifiko përfshirjen e nxënësve të tjerë në mësimin e situatave sociale.

Praktika më e mirë  tregon se mësuesi duhet:

  • Të përdorë një gjuhë të thjeshtë e cila është konçize dhe lehtësisht e kuptueshme. Në mbështetje të gjuhës mund të përdoren materialet vizuale.
  • Të tërheqë vëmendjen e fëmijës kur do t’i komunikojë diçka, të vlerësojë çdo përpjekje të fëmijës për të folur, të folurit ngadalë dhe të presë që fëmija të kuptojë mesazhin dhe të përgjigjet.
  • Të përdorë fjalë të njohura për fëmijën dhe ta mësojë të pyesë kur është konfuz.
  • Ta mësojë fëmijën me fjalë të reja në kontekste të ndryshme.
  • Të inkurajojë fëmijën të dëgjojë.
  • Të pranojë çdo përpjekje të fëmijës për të komunikuar.
  • Të përdorë piktura të thjeshta për të inkurajuar një bisedë.
  • Të sigurojë mundësi për fëmijën të praktikojë aftësitë e mësuara gjuhësore.

Promovimi i sjelljes së dëshirueshme:

 

Zakonisht fëmijët me autizëm kanë pak aftësi përballuese për situatat e vështira dhe mund të kenë zhvilluar sjellje të papërshtatshme për t’i përballuar ato. E rëndësishme është të mbahet mend se nuk është fëmija problemi: janë kushtet të cilat e provokuan atë. Sfida e mësuesit është të kuptojë cilat janë këto kushte dhe të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme. Kërkimet tregojnë se kur një ndërhyrje e përshtatshme është vendosur , ka të ngjarë që sjellja problematike të ndodhë më pak. Në klasë fëmijët me autizem tentojnë të reagojnë ndaj situatave të vështira në meëyra të ndryshme si:

  • Të larguarit nga banka apo klasa.
  • Të ndjerit ankthioz ndaj ndryshimit, të bërtitura ose izolim.
  • Sjellje desktruktive dhe agresive.

Një fëmijë me autizëm nuk i përgjigjet gjithmonë njësoj displinës. Për këtë arsye, në bazë të funksionimit të tij duhet hartuar vazhdimisht strategji për të përmirësuar sjelljen. Duhet patur parasysh se sjellja problematike e fëmijës është një përpjekje për të komunikuar diçka.

Adaptimi i klases për të ndihmuar të mësuarin e fëmijës dhe sensin e sigurisë përfshin:

  • Largimi i stimujve shpërqëndrues.
  • Sigurimi i një hapësire për fëmijën për të bërë një pushim.
  • Ofrimi i zgjedhjeve.
  • Planifikimi i rutinave të parashikueshme.
  • Përfshirja e periudhave të qetësisë gjatë rutinës së klasës.
  • Ndihmoje fëmijën të menaxhojë sjelljen dhe t’i zëvendësojë ato me sjellje më të pranueshme.
  • Planifiko një strategji krize kur gjërat dalin jasht kontrollit, duke njohur faktorët që mund të shkaktojnë një krizë ose acarim. Asnjëherë mos konfronto fëmijën gjatë një krize, jepi kohe të vet qetësohet.

 

Aida Kryekurti

Psikologe

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni