Femija im me ndricon jeten



Shenjat a para të shtatzanisë


Mund të jesh shtatzanë? Disa simptoma mund të shfaqen në periudhën që nuk të kanë ardhur menstruacionet – ose një javë, ose dy më vonë.
Nëse nuk mban një historik të ciklit tënd menstrual, ose në qoftë se ndryshon gjerësisht nga një muaj në tjetrin, ti nuk mund jesh e sigurtë kur ta presësh. Por nëse fillon të përjetosh disa nga simptomat më poshtë

– të cila nuk i kanë të gjitha gratë – dhe po pyet veten, pse nuk të ka ardhur menstruacioni, atëhere ti ke shumë mirë mundësi të jesh shtatzanë. Merr një test shtatzanie në shtëpi për të qënë e sigurtë!

10. Fryerja e barkut
Ndyshimet e hormoneve në fillim të shtatzanisë mund të të bëjnë të ndiesh e fryrë, ndiesi e ngjashme me simptomat që kanë disa gra përpara menstruacionit. Kjo është arsyeja pse rrobat tuaja mund të jenë të parehatshme, më shumë se zakonisht, në zonën e belit, madje edhe shumë herët, kur mitra jote është ende mjaft e vogël.
   
Shenjat e shtatzanise
  
9. Ndjeshmëria e lartë ndaj aromave
Nëse je shtatzënë, nuk është e pazakontë të ndjehesh e neveritur nga era e një sanduiçi, ose një filxhani kafe, ose që aroma të caktuara të të bezdisin shumë. Edhe pse askush nuk e di me siguri, kjo mund të jetë një efekt anësor i shkaktuar nga rritja e shpejtë e estrogjenit në trupin tënd. Mund të ndodhi që ushqime që të kanë pëlqyer shumë, janë krejtësisht papritur të neveritshme.

8. Përzierjet ose të vjellat
Për disa gra, kjo gjendje në mëngjes nuk shfaqet deri rreth një muaj pas konceptimit, edhe pse për të tjerat mund të fillojë një javë ose dy javë më herët. Dhe jo vetëm në mëngjes, kjo gjendje e shtatzanisë mund të shfaqet në mëngjes, në mesditë, ose natën. Ndërsa disa që janë me fat, shpëtojnë, dhe nuk e ndjejnë aspak.

Rreth gjysma e grave që vuajnë nga të vjella ndjejnë lehtësim të plotë nga fillimi i tremujorit të dytë. Për të tjerat kjo zgjat akoma nja një muaj, apo më shumë, për tu lehtësuar.

7. Urinimi i shpeshtë
Menjëherë pasi të ngeleni shtatzënë, ndryshimet hormonale shkaktojne një zinxhir ngjarjesh që rrisin shkallën e rrjedhjes së gjakut në veshka. Kjo shkakton që fshikëza jote të mbushet më shpejt, kështu që ti duhet të urinosh më shpesh. Kjo simptomë mund të fillojë që gjashtë javë në tremujorin e parë.

Urinimi i shpeshtë do të vazhdojë – ose do të intensifikohet – gjatë rritjes se shtatzanisë. Volumi i gjakut rritet shumë gjatë shtatzanisë, dhe kjo situatë çon në krijimin e lëngut të tepërt i cili do të përfundojë në fshikëzën tënde. Problemi komplikohet me rritjen e bebit sepse do të ushtrojë më shumë presion mbi fshikëzën tuaj.

6. Lodhje
Po ndihesh e lodhur gjithnjë e më shumë? Jo, më mirë do të thuash që ndihesh e rraskapitur. Askush nuk e di me siguri se çfarë shkakton lodhje në fillim të shtatzënisë, por është e mundur që rritja e shpejtë e progesteronit kontribuon tek gjendja jote. Natyrisht, të vjellat në mëngjes dhe fakti që urinon shpesh gjatë natës mund të të shtojnë lodhjen.

Do të fillosh të ndihesh më energjike në momentin që do të fillojë tremujori i dytë, edhe pse lodhja zakonisht kthehet në fund të shtatzënisë, kur bebi yt është rritur shumë e më shumë. Këto janë probleme të zakonshme të shtatzanisë dhe është shumë e vështirë që të flesh rehat natën.

5. Gjoksi i ndjeshëm dhe i fryrë
Një nga shenjat e hershme të shtatzënisë është ndjeshmërja dhe fryerja e gjoksit e shkaktuar nga nivelet në rritje të hormoneve. Enjtja mund të ndjehet si një version i ekzagjeruar se si e ndjen gjirin para menstruacionit. Ky siklet do të zvogëlohet pas tremujorit të parë, në momentin që trupi jot do të përshtatet me ndryshimet hormonale.

4. Mungesa e menstruacionit
Nëse ti je zakonisht mjaft e rregullt në lidhje me datat e menstruacionit dhe ato nuk të vijnë në kohë, atëhere mund të vendosesh të bësh një test shtatzanie para se të vësh re ndonjë nga simptomat e mësipërme. Por nëse ti nuk i ke të rregullta, ose nuk ke mbajtur nje historik të datave të ciklit, atëhere gjendja e përzier, fryerja e gjoksit dhe vajtja shumë e shpeshtë në banjo, mund të të sinjalizojnë shtatzaninë para se ti të kuptosh se nuk të ka ardhur menstruacioni.

3. Gjakrrjedhja
Shumë herët në shtatzëni, madje edhe para se ti të kuptosh që je shtatzënë, mund të kesh disa pika gjak për një, ose maksimumi, dy ditë. Kjo mund të shkaktohet nga veza e fekonduar e cila fiksohet në murin e mitrës – një proces që fillon vetëm gjashtë deri në shtatë ditë pas fertilizimit.

2. Temperatura basale qëndron e lartë
Nëse ti ke mbajtur një historik të temperaturës basale dhe ajo ka qëndruar e lartë për 18 ditë me radhë, ndoshta je shtatzënë.

Dhe më në fund ...

1. Prova: Një test shtatzanie pozitiv në shtëpi
Përkundër asaj që ti mund të lexosh mbi kuti, shumë teste të shtatzënisë në shtëpi nuk janë mjaftueshëm të ndjeshme për të zbuluar shtatzaninë deri në rreth një javë pas datës së menstruacionit. Pra nëse ke marre një rezultat negativ, provoje përsëri pas disa ditëve.

Pasi të kesh marrë një rezultat pozitiv, cakto një takim me mjekun tënd. Urime!

 

Na kontaktoni