Femija im me ndricon jeten



Marrëdhënia midis prindërve dhe mënyra se si kjo ndikon te fëmija

 Marrëdhënia midis prindërve dhe mënyra se si kjo ndikon te fëmija

Ardhja e një fëmije në jetë është një ngjarje e shënuar për prindrit e rinj, por ndryshimi total i rutinave, orareve të gjumit, përkujdesja e madhe që i nevojitet nje fëmije në veçanti në vitet e para si dhe probleme të tjera të jetës së përditshme krijojnë një situatë stresuese në marrëdhënien bashkëshortore edhe nëse ajo ka qënë shume e mirë më parë. Si pasoj e këtij ndryshimi prindrit e rinj janë të tensionuar, të frustruar dhe shpesh kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

Disa nga ne nuk arrijnë ta kuptojnë ndikimin negative që kjo situatë mund të ketë te fëmija dhe në aftësinë tonë për të përmbushur impenjimet prindërore në mënyrën e duhur. Literaturat e ndryshme më tepër fokusohen në mënyrën sesi prindi duhet të atashohet me fëmijën dhe jo shumë për mënyrën sesi prindrit duhet të sillen në raport me njëri- tjetrin. Duke qënë se dëshira jonë është të jemi prindër të mirë atherë mirë është të dimë jo vetëm të sillemi në marrëdhënie me fëmijën, por si duhet të sillemi dhe në marrëdhënien bashkëshortore duke qënë se kjo gjë ka një ndikim thelbësorë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës tonë.

Është shumë e rëndësishme që të kujtojmë që bebet vijnë në jetë krejtësisht të pambrojtur dhe të “zbuluar” ndaj çdo situate. Duke qënë se mburojat emocionale te fëmijët e vegjël nuk janë krijuar akoma ata e kanë shumë të lehtë te perceptojnë në mënyrë intensive emocionale se çfarë po ndodh rreth tyre. Ata jo vetëm që përjetojnë ndjenjat e tyre me intesitet, por dhe ndjenjat tuaja dhe mënyrën se si ju ndjeheni në marrëdhënien në çift. Ata ndjejnë “energjinë” në shtëpi. Duhen vite që te fëmijët të krijohet mburoja emocionale që do e ndihmojë fëmijën që të mos i përjetojë me aq intesitet emocionet. Nëse te të rriturit ekzistojnë mekanizmat mbrojtës që i mbrojnë ata nga intesiteti i situateve që mund të shkaktojnë diskomfort, te fëmijët e vegjël ato nuk janë të krijuara akoma. Psikologet dhe mjekët që kujdesen për fëmijët shpesh i këshillojnë prindrit për mënyrën e sjelljes në prani të fëmijes dhe për mënjanimin e debateve të ashpra në prani të tyre. Problemet në çift nuk mund ti fshehim nga fëmijët, por është gjithashtu fakt që jeta nuk mund të jetë gjithmonë e kulluar dhe probleme ka përditë. Këto problem na bëjnë të jemi të tensionuar dhe nervoz me partnerët tanë dhe shpesh nervoziteti dhe tensioni shpërthen në debate të ashpra, në fjalë dhe veprime të papërshtatshme. Megjith pasojat negative që mund të ketë një marrëdhënie konfliktuale në çift që u përmëndën më sipër, kjo nuk nënkupton që midis partnerëve të mos ketë aspak debat, por që ky debat të zhvillohet në mënyrë konstruktive. Gjatë debatit e rëndësishme është të evidentohen faktet dhe jo të përdoren fjalë fyese ndaj partnerit, të evitohet zëri i lartë dhe fjalët me ngjyrime emocionale negative. Të mundohen që gjatë debatit të shprehin emocionet pozitive dhe dashurinë që ndjejnë duke e zhvilluar bisedën në mënyrë konstruktive dhe me respekt ndaj njëri-tjetrit. E rëndësishme gjithashtu është dhe kush është fokusi i debatit, diskutimet që bëhen për fëmijën nuk duhet të zhvillohen në pranin e tij, pasi kjo do të ishte e dëmshme për të.


Si ndikon konkretisht te fëmija raporti që partnerët kanë me njëri-tjetrin?
Ndikimi pozitiv
Fëmijët jo vetëm që arrijnë të kuptojnë, por gjithashtu ndikohen shumë nga ajo që ndodh midis prindërve të tyre si në mënyrë direkte ashtu dhe indirekte. Një marrëdhënie e shëndetshme dhe me respekt reciprok midis pridërve, ka një ndikim pozitiv direkt te fëmija, pasi në këtë mënyrë krijohet një ambjent i sigurt familjarë në të cilin bebja e vogël e më pas fëmija mund të gjej vetveten si qënie njerëzore. Megjithëse nuk ka ndikim aq të fuqishëm dhe derteminues në zhvillimin e fëmijës sa atashimi nënë-fëmijë, marrëdhënia midis prindërve dhe një mjedis i ngrohtë familjarë luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës.
Niveli në të cilin prindrit në mënyrë të sinqert dhe të dukshme duan dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin, mënyra se si ata të dy janë të përfshirë në botën e fëmijës së tyre dhe në sensin që ai po zhvillon për veten si qënie njerzore, kjo ka një ndikim të fuqishëm gjithashtu në ndjenjën e sigurisë dhe parashikueshmërisë së gjërave që fëmija do të ketë.
Të gjitha këto bëhen modeli dhe arketipi që fëmija do të përdori më vonë për ndërtimin e marrëdhënieve sociale si dhe do të krijoj skemat bazë të fëmijës dhe imazhin për: afrimitetin, intimitetin, zgjidhjen në mënyrë konstruktive të konflikteve, shprehjen e emocioneve dhe respektin reciprok midis gjinive të ndryshme.
Në mënyrë indirekte një marrëdhënie e mirë midis partnerëve, një mjedis ku ata shprehin atë që ndjejnë dhe i zgjidhin në mënyrë konstruktive konfliktet që kanë, ku plotësojnë nevojat atshuese të njëri-tjetrit, ku ka dashuri,mirëkuptim dhe qetësi shpirtërore do të ishte ideal për të ushtruar me kapacitet të plotë rolin dhe funksionin prindëror. Një mjedis i ngrohtë dhe pozitiv do të na lejonte të shijonim dhe të ndjenim më nga afër rritjen dhe zhvillimin e fëmijës tonë duke mos e bërë veten pre të emocioneve negative.

Ndikimi negativ
Në anën negative fëmijët që vijnë në botë krejtësisht të pambrojtur, marrëdhënia e keqe prindërore lë tek ta një dëm të madhe si në mënyrë direkte dhe indirekte.
Në mënyrë direkte ndikimet negative janë: fëmijët imitojnë sjelljet e papërshtatshme të prindërve të tyre, paaftësia për të mësuar aftësit e ndërveprimit social si dhe brëndësimi i një imazhi negativ si për prindrit ashtu dhe për veten. Fëmijët të paaftë të kuptojnë dhe të përballojnë ndjenjat e trazuara që ju shkaktohen nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme të prindërve, veprojnë në mënyrë problematike në marrëdhëniet ndërpersonale.
Kërkimet kanë treguar se fëmijët që i nënshtrohen për një kohë të gjatë mosmarrëveshjeve prindërore si pasojë shfaqin një mori problemesh në zhvillim si: atashim të pasigurt me prindrit, vetëvlerësim të ulët, çrregullime në sjellje, sjellje antisocial, vështirësi në marrëdhënien me bashkëmoshatarët dhe figurat autoritare, depresion, ankth, problematika në arritjet akademike.

 

Ndikimi indirekt shfaqet në marrëdhënien: nënë-fëmijë dhe baba-fëmijë.

Një marrëdhënie e vazhdueshme me mungesë harmonie dhe mosmarrëveshje minojnë cilësinë e prindërimit. Prindërit nuk janë më të disponueshëm t’iu përgjigjen emocionalisht fëmijëve të tyre, zbeh aftësinë e tyre për të disiplinuar fëmijët në mënyrë efektive dhe të përshtatshme dhe rrit mundësinë e një sjellje fizike apo verbale agresive të prindërve ndaj fëmijës.
Kërkimet kanë nxjerr si rezultat se prindërit me martesa në të cilat niveli i konfliktit është i lart kanë tendencën të jenë më pak të ngrohtë dhe empatik ndaj fëmijëve të tyre. Ata janë më të çrregullt dhe të ashpër në disiplinimin e fëmijëve dhë përdorin teknika disiplinuese të cilat nxisin ndjenja faji dhe ankthi te fëmijët.Baballarët që vijnë nga martesa me nivel të lartë konflikti tentojnë të tërhiqen nga detyrat prindërore më shumë se baballarët që vijnë nga një martesë me nivel të ulët konflikti dhe përgjithësisht ndihen sikur partnerja i ka përjashtuar nga roli prindëror. Prindërit që vijnë nga një martesë konfliktuale janë më shpesh pre e depresionit, depresioni në vetvete është shkak i një sërë disfunksionesh familjare.

 

Pse çiftet edhe duke ditur efekt negative të konflliktit përsëri kanë konflikte me njëri-tjetrin?

Është shumë e vështirë për një nënë të re të arrijë të kontrollojë mërzitjen dhe “shpërthimin e nervave” në momentin kur nuk mund të plotësojë nevojat bazike, duke mos folur pastaj për nevojat profesionale, nevojat për ndërveprim social, për të realizuar shpirtin artistik,për tu argëtuar duke lënë mënjan këtu dhe faktin që partneri nuk është më po aq i disponueshëm sa më parë. Për pasojë na vjen natyrshëm të fajsojmë partnerin për faktin që nuk po na ndihmon në detyrën e prindërimit, që askush nuk na ka thënë më parë se sa e vështirë do të ishte.
Është më e lehtë për ne që duke qënë se partneri është personi më i afërt që kemi të shprehim aty gjithë emocionet e akumuluara si pasojë e izolimit dhe kufizimit të lirisë.Një faktor tjetër që ndikon në rritjen e nivelit të mosmarrveshjeve është dhe ndryshimi i kaheve të forcës që ndodh pas lindjes: deri në momentin e lindjes së fëmijës gruaja ka pasur një rol inferior në familje, pas lindjes ajo merr më shumë pushtet dhe forcë si personi që i ka dhënë jetë fëmijës, si personi që kujdeset për plotësimin e nevojave të fëmijës, si personi që ka lidhjen më të fort dhe direkte me fëmijën, fenomen ky që nga disa burra nuk pritet mirë.

 

Si duhet ti menaxhojmë konfliktet?
• Të shprehim nevojat e njëri-tjetrit, pa akumuluar emocionet negative të cilat do të çonin në shpërthime të mundshme konflikti
• Të ndahen deri diku detyrat dhe të përfshihet babai në botën e fëmijës
• Të komnikojmë dhe të kemi parasysh që kjo është vetëm një periudhë kalimtare
• Të marrim frymë thellë dhe të numërojmë deri në 10 para se të themi diçka që e dimë që do të lëndonte partnerin
• Të mundohemi të kalojmë sadopak kohë me partnerin, kur kjo është e mundur
• Të bëhen gjeste dhe veprime që ti tregojnë partnerit rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin
• Në moment debati të mundohemi të ruajmë qetësinë dhe të flasim me argumenta
• Të dëgjojmë arsyet e partnerit
• Të jemi empatik
• Të mundohemi të gjejmë zgjidhje të përbashkëta për problemin
• Të mundohemi ti evitojmë debatet para fëmijëve

 

Eriselda DERVISHI
Psikologe Klinike

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni