Femija im me ndricon jeten



Qentë e ‘rrezikshëm’ në Tiranë dhe siguria e fëmijëve

Dua të sqaroj që në fillim të shkrimit tim se nuk jam kundër mbajtjes së një qeni në familje, për më tepër djalit tim do t’i pëlqente shumë të kishte një qen, por për shkak se jetoj në pallat dhe për disa arsye të tjera, kemi preferuar të mos kemi një qen.

Dua të ndaj me ju një shqetësim të vjetër, por që vazhdon të mbetet një nga shumë problemet e pazgjidhura siç është shtimi i numrit të qenve në Tiranë dhe këtu e kam fjalën për ata të rrezikshimit si pitbull, doberman, pastor apo të ngjashëm me ata.

Në këto ditë të ftohta Janari po përpiqesha të nxirrja djalin nga parku i liqenit duke ecur në këmbë. Duke qenë se është një djalë rreth 4 vjeç, i cili ka kuriozitet për çdo gjë që përballet në rrugë, një distancë që normalisht mund ta përshkrosh duke ecur për 10 minuta, falë kuriozitetit tonë ne harxhojmë edhe 40 minuta.

Problemi nuk qëndron tek koha, pasi mua më pëlqen fakti që ai gjithmonë përpiqet ti shijojë gjërat edhe atë më të voglën siç është ecja. Kur ne ‘të rriturit’ nga presioni i kohës përpiqemi të ecim me shpejtësi, ai përkundrazi preferon të eci ngadalë, kërcejë, të fshihet apo të ndalojë edhe në çdo cep duke pyetur ‘ça është kjo’.

Përveç vështirësive që i hasim përditë në trotuaret e zëna nga makina, lokale të zgjatura me tavolina në trotuar, apo tezga pa fund që shesin çdo produkt pa asnjë standard, përballesh me njerëz që dalin të shëtisin qentë e tyre.

Kjo në fund të fundit nuk përbën asnjë problem për shumë prej nesh, por shqetësimi im është me ata njerëz që kanë qen të ashtuquajtur ‘të rrezikshëm’ dhe këtu shumë mund të debatojnë se kush janë racat e rrezikshme.

Djali im, ashtu si edhe qentë në të shumtën e rasteve, kërkojnë të luajnë me njëri tjetrin, dhe reagimi im i parë është në asnjë mënyrë mos e lejoj të ketë kontakt me racat e sipërpërmendura. Më e bukura është se shpesh më ndodh që i zoti i qenit me dashamirësi më thotë që ‘mos të kem merak se qeni nuk kafshon’. Por nuk dua t’ia le këtë në dorë fatit për ta testuar.

Kjo nuk ndodh vetëm duke ecur në rrugë, por bëhet edhe më e theksuar në parkun e liqenit ku ti përballesh me disa qen të zgjidhur të rrezikshëm që vrapojnë pa asnjë kontroll dhe i afrohen pa ftuar fëmijës tënd. Koha që mendoje ta kalojë sa më qetë në një ambjent, nga të paktit në Tiranë shyqyr pa makina, do të duhet të kesh kujdes gjithë kohën nga qentë e lëshuar.

Këtu nuk dua të përmend rastet e sulmeve të ndryshme të qenve ndaj të rriturve apo fëmijëve, që mund t’i keni dëgjuar, ku shumë nga ata që mbrojnë qentë mund t’i referohen faktit që këto ndodhin nga qentë endacakë. Ky është një problem tjetër po aq i madh dhe i rrezikshëm për ne dhe sigurinë e fëmijëve tanë që përsëri kërkon vëmendjen e autoriteteve si Bashkia dhe më gjerë.

Para se të shkruaja mu kujtua që në mars 2012, Bashkia e Tiranës filloi një fushatë për ndalimin e qenve të rrezikshëm të shëtisnin pa maska dhe pa rrip që përbën shkelje ligjore dhe për të u vendosën disa gjoba që nuk e di pse u harrua që atëherë. Për më tepër kohët e fundit pranë parkut nuk shikon më asnjë polic bashkiak. Siç duket ky problem ka dalë jashtë prioriteteve dhe e vetmja zgjidhje, përveç ankesave tona, mund të jetë vetëndërgjegjësimi i njerëzve.

Në vazhdën dhe të shumë problemeve të tjera në shoqërinë shqiptare, të mbash shpresat tek vetëndërgjegjësimi i njerëzve mund të jetë shumë pak, por ky fenomen do të vazhdojë të na shqetësojë dhe për aq kohë sa nuk ndodh një incident i rëndë që të tërheqi vëmendjen e të gjithëve për të marrë realisht masa.

Këtë nuk do t’ia uroja askujt, por do të kërkoja mendimin tuaj se kush kanë qenë eksperiencat tuaja dhe kush mund të jenë zgjidhjet që propozoni sidomos bazuar dhe nga eksperiencat që mund të jeni në dijeni nga vende të tjera dhe çfarë mund të bëjmë ne për ta zgjidhur për këtë problem?

Për referencë dua të citoj këtu bazën ligjore. Megjithëse Bashkia Tiranë ka aplikuar gjoba me insiativën e vetë, problemi është se ligji nuk parashikon asnjë masë ndëshkuese për pronarët apo kujdestarët e kafshëve të shoqërimit në rast të mosrespektimit të dispozitave të mësipërme.

Bazuar në nenin 73, pika 3, shkronjat “d” dhe “e” të ligjit nr. 10 465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar):

Pronarët e kafshëve të shoqërimit ndër të tjera detyrohen:

-          Të sigurojnë që kafshët të mos paraqesin rrezik për njerëzit ose kafshët e tjera, duke zbatuar detyrimin e vendosjes së maskës mbrojtëse në gojë, kur i nxjerrin shëtitje qentë agresivë;

-          Të shmangin ndotjen e vendeve publike nga kafshët, si dhe të pastrojnë vendin pas defekimit, në rast ndotjeje.

 

Kalendari i shtatzanisë

Imazhe

JoomGallery not installed

Regjistrohu / Login

Shikoni faqen tone ne

Na kontaktoni